IQ.EU

News & Info

LatestNewsPolitics

A do ta ndryshojë jetën e palestinezëve Joe Biden?

Administrata e SHBA-së me presidentin e saj, Joe Biden, është zotuar të ndryshojë kursin mbi konfliktin e Izraelit dhe palestinezëve.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, rivendosja e pagesave të ndihmave për palestinezët – të cilat ishin pezulluar gjatë kohës kur ishte në udhëheqje ish-presidenti Donald Trump – shënoi fillimin për sa i përket kësaj çështjeje.

Derisa mund të interpretohet si një shenjë pozitive në një drejtim të ri, mund të jetë herët të presësh që një ndryshim i rëndësishëm të realizohet, thonë analistët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dhurojnë 150 milionë dollarë për Shoqatën e Ndihmës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNWRA) dhe 75 milionë dollarë do të ndahen për projekte zhvillimi në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, njoftoi së fundmi sekretari i shtetit amerikan, Anthony Blinken.

Rreth 10 milionë dollarë shtesë do të përdoren për masat e ndërtimit të paqes midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Kjo e fundit është thelbësore për planin e Biden për të rindërtuar mbështetjen dhe kontaktet politike me palestinezët për të lehtësuar një zgjidhje me dy shtete. Blinken theksoi vizionin e SHBA-së për izraelitët dhe palestinezët për të jetuar në “prosperitet, siguri dhe liri”.

Është një ndryshim i paradigmës krahasuar me mandatin e ish-presidentit Trump. Ky i fundit pushoi pothuajse të gjitha ndihmat financiare për palestinezët në vitin 2018 si dhe mbështeti qeverinë e Benjamin Netanyahut në një shkallë të paparë për çështjet kritike të tilla sikurse vendbanimet e paligjshme izraelite.

Çfarë dihet rreth kësaj çështjeje?

Biden ka qenë tradicionalisht kritik ndaj politikës izraelite të zgjidhjes. Si nënkryetar në vitin 2016, Biden u shpreh se kishte një “zhgënjim të madh”, drejt kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe qeverisë së tij rreth promovimit dhe zgjerimit të vendbanimeve.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Bideni përsëriti prirjen e tij për një zgjidhje mes të dyja palëve dhe premtoi të rihapë misionin e Organizatës Çlirimtare të Palestinës (PLO) në Washington DC, dhe konsullatën e SHBA-së në Jerusalem për çështjet palestineze.

Sidoqoftë, ekspertët po shprehen skeptikë për sa i përket qasjes amerikane. Administratës së Biden i mungon një vizion koherent për konfliktin që do të ndryshonte ndjeshëm situatën për palestinezët, tha Nader Hashemi, drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Universitetin e Denver.

“Shtëpia e Bardhë ka një vizion për Izraelin. Kjo është pika e shmangies së administratës së Biden kur mendon për palestinezët dhe formësimin e politikës së tyre ndaj konfliktit”, tha ai për Al Jazeera, duke u shprehur se çështjet e sigurisë së izraelite ishin para së gjithash. /telegrafi/