IQ.EU

News & Info

FEATUREDFree SpeechPoliticsTOP STORIESZgjedhjet 2025

Manipulimi i votës dhe sfida e përfaqësimit të denjë në Kosovë: Rasti i regjionit të Prizrenit

Regjioni i Prizrenit, e në veçanti qyteti i Prizrenit, ka qenë historikisht një nga shtyllat më të forta të identitetit kulturor, historik dhe moral të Kosovës. I njohur gjerësisht si djepi i kulturës në Kosovë, Prizreni ka dhënë brez pas brezi kontribute të çmuara në art, gjuhë, arsim dhe bashkëjetesë qytetare. Ky qytet nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një simbol i trashëgimisë sonë kombëtare.

Historikisht, Prizreni ka qenë kryeqytet shpirtëror dhe politik i shqiptarëve, vend ku janë marrë vendime madhore për fatin e kombit. Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet një nga momentet më të ndritura të vetëdijes sonë kombëtare. Krahas kësaj, qyteti është shquar gjithmonë për vlera të forta familjare e morale, për lidhje të qëndrueshme shoqërore dhe për respekt të ndërsjellë mes njerëzve.

Në aspektin fetar, Prizreni është shembull i rrallë i bashkëjetesës aktive të feve, me një theks të veçantë të jetës fetare islame, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e moralit, solidaritetit dhe ndjenjës së përgjegjësisë shoqërore. Këto vlera, të ndërtuara ndër shekuj, janë pasuri që duhen mbrojtur, jo keqpërdorur.

Pikërisht për këtë arsye, indinjata është e thellë kur shohim se në zgjedhjet e fundit në Kosovë ka pasur pretendime serioze për manipulim të votave nga kandidatë për deputet pikërisht nga regjioni i Prizrenit. Këta persona, të cilët kanë kërkuar besimin e qytetarëve, do të duhej të ishin mbrojtësit më të denjë të këtyre vlerave në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës. Në vend të kësaj, dyshimet për keqpërdorim të përkrahjes qytetare dhe tentativat për manipulim të vullnetit të lirë të votuesve përfaqësojnë një nivel të ulët morali dhe mungesë të theksuar kulture politike.

A janë këta persona ata që duhet ta përfaqësojnë Prizrenin?
Sa i pasqyrojnë ata vlerat e larta kulturore, historike, familjare dhe fetare të këtij komuniteti?
Çfarë mendojnë qytetarët e ndershëm për veprimet e tyre?
Si ndihen bashkëpartiakët e tyre për përvetësimin e meritave dhe mundit politik që nuk u takon?

Përtej vendimeve të gjykatave dhe institucioneve, ekziston edhe një gjykim më i fortë dhe më i drejtë: verdikti i popullit. Ky verdikt nuk harrohet lehtë dhe nuk fshihet me manovra politike. Ai mbetet si njollë morale për secilin që ka zgjedhur rrugën e mashtrimit në vend të ndershmërisë.

Prandaj, shtrohet pyetja thelbësore: a duhet të kenë vend në organizime politike persona që kanë cenuar besimin e qytetarëve, bashkë me bashkëpunëtorët e tyre? A i shërbejnë ata demokracisë apo e dëmtojnë atë?

Në fund, kjo situatë na lë me një porosi dhe një brengosje të madhe për të ardhmen. Porosia është që vota e qytetarëve të Prizrenit dhe mbarë Kosovës të respektohet si e shenjtë. Brengosja është nëse ky regjion, me gjithë vlerat e tij të jashtëzakonshme, do të arrijë të ketë përfaqësim të denjë, të ndershëm dhe me integritet në Parlamentin e Kosovës. Pa këtë përfaqësim, rrezikojmë jo vetëm demokracinë, por edhe trashëgiminë morale që na ka mbajtur gjallë si komunitet ndër shekuj.

Autor: Muhidin Xhezairi
Kandidat për deputet nga Koalicioni për Familjen në zgjedhjet e shkurtit 2025